Miftaraj: Për çështjen e votimit të fshehtë, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda 60 ditësh

E publikuar: 03/06/2025 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e deputetëve të Aleancës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, pati deklaruar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Në lidhje me këtë çështje dhe sa pritet të zgjasë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka folur për “Gazeta Blic”, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Miftaraj tha se rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve.

“Në rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve.Megjithatë, në praktika, jo në ta gjitha rastet Gjykata Kushtetuee ka arritur që ta respektojë këtë afat ligjor, ashtu që në disa raste, vendimmarrja ka zgjatur deri në mbi 1 vit” tha Miftaraj.

Ai tha se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër.

“Nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese, afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër” deklaroi Miftaraj.