MD-ja nis rishikimin funksional të sundimit të ligjit

E publikuar: 19/04/2017 15:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Drejtësisë nga sot ka filluar rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

Në një takim të organizuar në ndërtesën e qeverisë, kanë marrë pjesë Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Kryeministri Isa Mustafa, Ambasadori amerikan Greg Delawie e përfaqësuesja e BE-së për Kosovë, Natalia Apostolova.

Prezent në këtë takim ishin edhe krerë të sistemit gjyqësor e atij prokurorial.

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, tha se ky rishikim po bëhet pasi që sistemi i sundimit të ligjit vlerësohet të jetë ende i dobët, me gjithë investimet e mëdha në këtë sistem.

Sipas saj rishikimi do të fokusohet në tre drejtime, në harmonizimin e strategjive sektoriale dhe ligjeve të kësaj fushe, llogaridhënien dhe transparencën dhe nivelin e bashkëpunimit mes institucioneve.