Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq

E publikuar: 17/11/2023 11:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka filluar një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq.

Por, gjykimi është mbyllur për publikun.

Gjykatësja e rastit, Violeta Namani ka thënë se shkak i mbylljes së seancës është mbrojtja e jetës dhe të dhënave personale të të dëmtuarës në këtë rast.

Paraprakisht, propozimin për mbyllje të këtij gjykimi për publikun, e ka bërë prokurorja speciale Drita Hajdari, pasi që sipas saj në rast se gjykimi mbahet i hapur për publikun, krijohen pasoja të pariparueshme për të dëmtuarën.

“.. rasti është mjaft sensitiv, ju e dini që në këtë lëndë ekziston edhe masa mbrojtëse me të cilën është ndaluar gjykimi publik, respektivisht është urdhëruar gjykimi jopublik. Arsyeja për këtë është mbrojtja e integritet të viktimës së dhunimit dhe me zbulimin e identitet të saj ishin shkaktuar pasoja të pariparueshme për personalitet dhe jetën e saj, kështu që kërkoj që ky gjykim të mbahet pa prezencën e publikut”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i Vukotiq, avokati Lujubomir Pantoviq. Kurse, vetë Vukotiq ka thënë se për të është njëjtë, pasi që në fund të procesit sërish dihet verdikti i gjykatës, duke u bërë publik i njëjti, raporton Betimi për Drejtësi.

Në fillim të seancës, gjykatësja Namani ka bërë të ditur se aktakuza ndaj Vukotiq është ngritur më 4 tetor 2023, i cili ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, dhe aktualisht i emëruar si krim kundër njerëzimit.