
Gjatë vazhdimit të marrjes në pyetje të dëshmitarit dhe njëkohësisht të dëmtuarit, Ramadan Tahiri, nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha deklaroi se për shumën që konsiderohet si borxh nga ana e të dëmtuarit, ekziston një aktakuzë për fajde ndaj vetë Tahirit.
“A je në dijeni se pranë kësaj gjykate ekziston një aktakuzë e vitit 2024 për fajde kundër jush, ku i dëmtuar është Mustafa Mustafa dhe pikërisht aktakuza ka të bëjë me këto shifra që ju i paraqitni si borxh?”, pyeti avokati Berisha.
Në përgjigje, dëshmitari Ramadan Tahiri deklaroi se nuk është në dijeni për një aktakuzë të tillë.
Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T. në lagjen Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë seancës, u dorëzua edhe një fletore në të cilën Tahiri mbante shënime për borxhet që kishte Mustafë Mustafa nga shitblerjet që kishin bërë, përfshirë edhe marrëveshjen origjinale për banesat që janë objekt i aktakuzës.
Në pyetjen e avokatit Berisha nëse marrëveshja e prezantuar, në të cilën figuron nënshkrimi i Tahirit, ishte firmosur nga ai, dëshmitari u përgjigj:
“Jo, nuk është nënshkrimi im. Kjo letër është fallco, nuk është origjinali”, tha Tahiri.
Më tej, avokati Berisha pyeti nëse nga dëshmitarët apo nga pamjet e kamerave, Tahiri kishte kuptuar për arsyen e frustrimit të babait të tij, tashmë të ndjerit R.T. Sipas Tahirit, shkak i zemërimit kishte qenë dokumenti i prezantuar nga Mustafë Mustafa.
“Sipas dëshmitarëve, shkaku është dokumenti që u prezentua, dhe kur u prezentua dokumenti, i kanë thënë prindit që banesat janë në katin e gjashtë dhe jo të pestë. Për këtë arsye është ngritur në këmbë. Në seancën e kaluar, avokati e caktoi që i kanë kallxu dëshmitarët që Mustafaja ia ka ofruar një banesë në katin e pestë dhe një në katin e gjashtë. Unë këtë fakt nga dëshmitarët nuk e kam ditur”, tha Tahiri.
Ndërkohë, në pyetjen e avokatit Berisha nëse gjatë momentit kur i ndjeri drejtonte dy gishtat me dorën e majtë, e mbante dorën e djathtë në xhep, aty ku ishte thika me të cilën, sipas mbrojtjes, ai kishte sulmuar i pari të akuzuarin, Tahiri tha se babai i tij nuk e kishte nxjerrë i pari thikën.
“Prindi i ndjerë ka qenë një çoban, thikën e ka mbajt me vete. Edhe unë mbaj, si masë sigurie kur jam me dele. Sipas kamerave dhe logjikës sime, prindi nuk e ka nxjerrë thikën i pari, ai e ka nxjerrë thikën kur Avniu e ka nxjerrë armën dhe Mustafa i ka rënë me shqelm”, shtoi Tahiri..
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisën të dalin nga hoteli ku i akuzuari Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër, Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.