
Përveç dy liderëve opozitarë Lumir Abdixhiku nga LDK-ja e Memli Krasniqi nga PDK-ja, në mbrojte të afërt të Policisë së Kosovës, janë marrë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë Donika Gërvalla-Schwarz e Nenad Rashiq ministër për Komunitete dhe Kthim.
Me gjithë insistimin e Indeksonline-t për të marrë konfirmim zyrtar për dy ministrat e qeverisë Kurti, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Mirëpo burime të Indeksonline-t, kanë treguar se edhe dy ministrat janë duke u shoqëruar nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt e Policisë së Kosovës.
Ky burim po ashtu ka treguar se edhe dy personalitete të tjera kanë bërë kërkesë në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Kosovës për mbrojtje të afërt. Bëhet fjalë për nënkryetaren e Leposaviqit Dragana Milletiq dhe Enis Abdurrahami drejtori i ndërmarrjes “Trepça”.
Mirëpo sipas këtij burimi kërkesa e tyre për mbrojtje të afërt ende nuk është miratuar.
“Drejtoria e Policisë së Kosovës ende nuk e ka miratuar kërkesën për nënkryetaren e Leposaviqit dhe drejtorin e ndërmarrjes ‘Trepça.’ Këta që të dytë kanë pasur në vazhdimësi kërcënime dhe për këtë arsye kanë kërkuar mbrojte të afërt”, tha ky burim.Ndryshe, pak ditë më parë asaj në veri i është djegur vetura, ndërsa drejtori i “Trepçës” ka marrë kërcënime në vazhdimësi siç është raportuar në media.