Mbi 45 kg kokainë nga Brazili në Durrës, arrestohet kosovari

E publikuar: 16/06/2022 09:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Po vazhdon operacioni policor antidrogë i koduar “Tranziti”, gjatë të cilit, mbrëmjen e datës 15 qershor, policia sekuestroi 45.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kokainë, në një kontenier në Portin e Durrësit.

Pas hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, u arrestuan administratori i kompanisë dhe një agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Në vazhdim të veprimeve për zbardhjen e tentativës për trafikim të një sasi të madhe të kokainës që vinte tranzit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut, e cila u kap falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i shtetasve: F., 30 vjeç, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil. E. V., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Mbrëmjen e djeshme, në Portin e Durrësit, Task Forca që vepron 24/7 në Portin e Durrësit, e cila përbëhet nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut dhe në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë, bazuar në informacionet që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, ka ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë./abcnews