Marrëveshja, e cila sjell kriminelët para drejtësisë

E publikuar: 02/04/2016 08:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, po ashtu edhe shefe e sektorit për Diplomaci Publike në Ambasadë, Michelle Schohn, tregon për “Zërin” detaje të rëndësishme të Marrëveshjes së Ekstradimit

Marrëveshja për Ekstradim e nënshkruar nga presidentja, Atifete Jahjaga, dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i mbulon rastet kur personi gjendet në njërin nga dy shtetet (në Kosovë apo në SHBA) përkohësisht apo përhershëm dhe është i paditur për ndonjë krim në shtetin tjetër.

Kjo marrëveshje, e siguruar nga gazeta “Zëri”, tregon se mbulon kërkesat për ekstradim lidhur me çdo krim që është i dënueshëm me më shumë se një vit nga të dyja shtetet që e kanë nënshkruar marrëveshjen. Kjo marrëveshje e zëvendëson marrëveshjen e nënshkruar më 1901 ndërmjet SHBA-së dhe Mbretërisë së Serbisë.

Në Nenin 2 të Marrëveshjes thuhet se: “Një vepër penale konsiderohet vepër penale e ekstradueshme në qoftë se është e dënueshme sipas ligjeve të të dyja shteteve me privim nga liria për një periudhë maksimale prej më shumë se një vit apo me një dënim më të rëndë”.