Madonna birëson dy binjake

E publikuar: 07/02/2017 20:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Madonna bëhet sërish nënë, këtë herë e dy vajzave binjake. Mbretëresha e muzikës “Pop” mori “dritën jeshile” nga Gjykata e Lartë e Malavit për të birësuar vajzat 4-vjeçare Stella dhe Ester.

Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja birëson në Malavi. Ajo e ka bërë këtë edhe në dy raste të tjera, në vitet 2006 e 2009, kur adoptoi David Banda dhe Mercy James. Në atë kohë shpërthyen polemikat në vend për anashkalimin e ligjit që ndalon adoptimet nga shtetas të huaj.

Madonna gjendej brenda sallës së gjyqit kur një gjykatës vendosi në favor të saj. I pranishëm ishte edhe babai i vogëlusheve që jetonin në një jetimore pranë kufirit me Zambian. Megjithatë, 58-vjeçares i duhet të provojë se do të jetë një kujdestare e mirë për binjaket.

Një përfaqësues i qeverisë do të udhëtojë me ta në SHBA për të parë nga afër sesi do të kujdeset ajo për pjesëtaret më të reja të familjes. Autoritetet malavite nuk dhanë detaje mbi fëmijët, me pretendimin se kjo do të ishte e kundërligjshme në këtë fazë të çështjes.

Udhëtimet e Madonnës në Malavi, kohët e fundit ngjallën spekulimet se ajo do të adoptonte sërish, por këngëtarja i mohoi pretendimet e medieve. Ajo ka themeluar një organizatë jofitimprurëse në shtetin afrikan për t’iu ofruar fëmijëve, e veçanërisht vajzave, programe edukimi./tch/