Lokali problematik i serbëve, Dolce Vita, në afërsi të Urës së Ibrit, është blerë nga një shqiptar
Këtë lajm e ka konfirmuar për Klan Kosovën një burim zyrtar nga veriu i Mitrovicës.
Kjo ka ndodhur kohë më parë, në një proces privatizimi, të kryer nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Por, pronari i ri i Dolce Vitës, nuk po mund ta kalojë mbi vete lokalin në fjalë.
“Pronari i deritashëm i Dolce Vitës ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që ky lokal është hedhur në privatizim”, i ka thënë Klan Kosovës burimi në fjalë.
“Prandaj, ai është ankuar dhe procesi i ndërrimit të pronarit ka ngecur”.
Në fakt, nuk është vetëm Dolce Vita që është blerë nga shqiptarët. Kështu ka ndodhur edhe me një varg lokalesh tjera në Mitrovicën e Veriut që ishin pronë shoqërore, e sidomos ato që ishin përgjatë rrugës kryesore që kalon nëpër këtë qytezë, nga Ura e Ibrit e deri në kufi me Zveçanin.
Por, edhe në shumicën e prej tyre, pronarët e rinj nuk kanë arritur t’i marrin ato në shfrytëzim për arsye të njëjta me ato të Dolce Vitës.
Klan Kosova ka mësuar se ankesat e pronarëve të rinj janë paraqitur në Zyrën Administrative Mitrovica e Veriut, që udhëhiqet nga Adriana Hoxhiq.
Dolce Vita ka qenë lokali i cili ka shërbyer si stacion i të ashtuquajturve Rojat e Urës, një grupacion ky i serbëve të veriut që për një periudhë të gjatë pasluftës ka penguar çdo tentim të shqiptarëve për të kaluar, ose për t’u kthyer në shtëpitë e banesat e tyre në këtë zonë.
Për këtë arsye, ky lokal ka fituar një nam të zi, si një vend nga i cili është orkestruar dhuna ndaj shqiptarëve të veriut.
Por, blerja e tij nga një shqiptar mund të ndryshojë gjithçka për të mirë, duke e bërë Dolce Vitën e vjetër vetëm një histori të keqe që nuk do të përsëritet më.