Llava e ujqve ia mbyt çerekun e deleve familjes Sokoli në Viti

E publikuar: 17/08/2015 19:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mëngjesi i kësaj të hëne e ka gjetur familjen e Gazmend Sokolit, nga Verbani i komunës së Vitisë, pa çerekun e deleve të fermës së saj.

Ndonëse Verbani nuk është ndonjë fshat malor, një tufë ujqish nga malet përreth i kishte rënë në gjurmë kësaj ferme, e cila kishte rreth 100 dele, kryesisht të rritura, raporton KTV.

Të mbrojtur nga zhurma e erës dhe shiut, pa u vërejtur nga askush, ujqit kanë mbytur 23 dele dhe kanë kafshuar mbi 20 të tjera.

Disa prej deleve të kafshuara kanë ngordhur më pas, kurse ka shumë mundësi që edhe të tjera dele të lënduara të ngordhin në ndërkohë.

Të 23 delet e ngordhura janë groposur gjatë ditës, ndërkohë vlera e tyre llogaritet të ketë qenë të paktën 5 mijë euro.

Inspektorët komunalë kanë regjistruar dëmet në vendin e ngjarjes, por mundësia për kompensim eventual nga institucionet nuk është e sigurt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.