Sot shënohet ”Eksodi 99”, data 16 prill e vitit 1999, kur forcat ushtarake, policore e paramilitare sërbe, dëbuan masovikisht nga trojet e tyre popullatën shqiptare nga mbarë Kosova.
Për të shënuar ditën e dëbimin masiv të shqiptarëve, ministri i Diasporës, z. Valon Murati, së bashku me ministrin e FSK, z. Haki Demolli, deputetin e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës, z. Raif Qela, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, kryetarët e komunave të Prishtinës, Mitrovicës e Ferizajit, kaluan kufirin shqiptaro – shqiptar në këmbë së bashku me qindra pjesëmarrës nga anembanë Kosova.
Në kufi u pritën nga kryetari i bashkisë së Kukësit, z. Bashkim Shehu.
Ministri Murati, theksoi se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës para 17 viteve ishte një prej momenteve më të rënda në historinë tonë.
Në ato momente të rënda, qyteti i Kukësit në veçanti dhe i tërë shteti shqiptar në përgjithësi me një solidaritet të jashtëzakonshëm ishin në funksion të lehtësimit të kësaj gjendjeje, duke i hapur dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre.
Ai në emër të qeverisë dhe të tërë institucioneve të shtetit falënderoi qytetarët e Kukësit për mikpritjen e para 17 viteve, institucionet e bashkisë së qytetit si dhe institucionet e shtetit shqiptar.
“Kukësi, dhe gjithë Republika e Shqipërisë ishin pjesë e përpjekjeve për liri të Kosovës në të gjitha format. Kosova e pavarur është projekt i të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm i atyre të Kosovës”, tha në fjalën e tij ministri Murati, njofton Zyra për Informim e Ministrisë së Diasporës.