Lideri ukrainas “pushton” BE, Zelensky kërkon avionët: Disa vende të BE gati të na furnizojnë

E publikuar: 09/02/2023 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentit të Ukrainës iu rezervua një pritje prej heroi në zemër të Europës. Volodymyr Zelensky shfrytëzoi vizitën e tij në selinë qendrore të Bashkimit Europian në Bruksel dhe takimet me udhëheqësit e liderët për të kërkuar dy ndihma: anëtarësimin e shpejtë në bllok dhe më shumë armatime për të thyer ushtrinë ruse dhe fituar luftën.

“Jam I frymëzuar nga deklaratat se Europa do të jetë me ne deri në fitore. E dëgjova këtë nga liderët e disa vendeve. Jam mirënjohës. Dëgjova nga disa liderë europianë gatishmërinë për të na dhënë armët e nevojshme, përfshirë avionë. Paqja afatgjatë në Europë do të ndodhë kur Ukraina të fitojë dhe të bëhet vend anëtar në BE dhe NATO”, deklaroi presidenti ukrainas.

Kërkesat e Zelenskit dhe sakrifica e Ukrainës morën përgjigje pozitive nga udhëheqësit.

“Konsiderojmë që javët dhe muajt në vijim të jenë vendimtare. Duke marrë parasysh këtë, themi se nuk është koha për tu dridhur. Është koha të qëndrojmë të arsyeshëm dhe të ofrojmë mbështetjen maksimale”, iu përgjigj Charles Michel, president i Këshillit të BE.

“Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin e shkaktuar dhe gjakun e derdhur. Në ditët në vijim do të vijë paketa e 10 e sanksioneve. Siç e shikoni dhe sot, ne jemi një familje, kemi një vizion dhe anëtarët e familjes e ndihmojnë njëri-tjetrin. Mund të mbështeteni tek ne”, shtoi Ursula Von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian.

Zelensky mbajti dhe një fjalim në Parlamentin Europian, ku u prit me ovacione dhe duartrokitje disa minutëshe. Nga atje paralajmëroi ekzistencën e një plani rus për shkatërrimin e Moldavisë dhe jetës normale të mbarë europianëve. Nga aty mori sinjale pozitive se “krahët për mbrojtjen e lirisë” mund të arrijnë së shpejti në Kiev.

“Shtetet duhet ta konsiderojnë shpejt si hapin e ardhshëm sigurimin e sistemeve me rreze të gjatë dhe avionëve që ju nevojiten për të mbrojtur lirinë, të cilën shumë e kanë marrë si të mirëqenë”, deklaroi presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Kjo ishte hera e parë që presidenti ukrainas viziton kryeqendrën e Bashkimit Europian që prej nisjes së luftës nga Rusia.