Lekaj: Dialogu me Serbinë po kthehet në abuzim

E publikuar: 12/12/2016 11:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë mbledhjes së sotme të Komisioni për Punë të Jashtme, temë diskutimi është ndërtimi i murit në Mitrovicë.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh anëtar i këtij komisioni, Pal Lekaj ka theksuar se dialogu është dështim sepse nuk është kornizuar dhe nuk ka kushte.

“Siç ka vepruar Serbia dhe ka përfituar çdo gjë nga BE-ja. Kërkojë që të respektohet kërkesa për interpelancë pasi dialogu me Serbinë po kthehet në abuzim”, ka thënë Lekaj.

Gjithashtu ai ka pyetur se pse nuk janë informuar në lidhje me vizitën në Mitrovicë.

“Të ndërpritet dialogu deri në qartësimin e situatës me murin dhe rivitalizimin e urës. Deklaratat e Edita Tahirit nuk duhet të thirren në interpelancë, janë deklarata prej injorantëve. Dialogu nuk ka sjellë asgjë të mirë për Kosovën”, ka shtuar Lekaj.

Sipas këtij të fundit situata në Mitrovicë sidomos në pjesën veriore të saj, përkundër shumë negociatave e marrëveshjeve që jo të gjitha kanë qenë në të mirë të Kosovës për të mos thënë asnjëra prej tyre, nuk është e tillë.

“Mbetet e tensionuar dhe ndërtimi i murit vetëm sa i kontribuon tensionimit dhe jo të kundërtës. Si është e mundur që pas kaq shumë negociatave, Kuvendi i Kosovës asnjëherë mirëfilli nuk është njoftuar nga Kryeministri apo Ministrja për Dialog me marrëveshjet që janë arritur në Bruksel dhe si ka ecur implementimi i tyre”, ka përfunduar Lekaj./Indeksonline/