LDK ka hequr dorë nga posterët, jo nga billbordat dhe muralet

E publikuar: 06/10/2017 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtabi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në konsultim me kryetarët e degëve, rikujton strukturat, elektoratin dhe gjithë qytetarët, se ka vendosur që të mos praktikojë vendosjen e posterëve në fushatën e zgjedhjeve të 22 tetorit, me qëllim që të racionalizojë shpenzimet, të mbrojë ambientin, pronat publike dhe private.

Vendimi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, nuk ka të bëjë me vendosjen e billbordave dhe muraleve, sepse ato vendosen nga kompani profesionale dhe garantojnë heqjen e tyre pas përfundimit të fushatës zgjedhore, pa e dëmtuar pamjen e vendbanimeve dhe pa e ndotur ambientin.

Praktikat e zgjedhjeve të kaluara kanë treguar se posterët e të gjitha partive politike, janë vendosur nëpër vende joadekuate, në prona publike dhe private dhe kanë degraduar pamjen e lagjeve dhe qyteteve.

LDK-ja e ka prioritet mbrojtjen e mjedisit, kujdesin ndaj pronës publike dhe garantimin e pronës private, prandaj ky vendim kishte pikërisht këto qëllime.

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, vendosja e billbordave dhe muraleve nuk bie ndesh me vendimin e Shtabit Zgjedhor të LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës i fton edhe subjektet tjera politike që të kenë kujdes të shtuar ndaj mjedisit gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore.