LDK-ja me kryetarë të degëve flet për zgjedhjet lokale, pajtohen për unitet kundër PAN-it

E publikuar: 21/07/2017 16:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen me kryetarë të Degëve, të cilën e udhëhoqi kryetari i LDK-së njëherësh kryeministër i vendit Isa Mustafa.

Sipas njoftimit për media të kësaj partie, gjatë mbledhjes u diskutua rreth organizimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, përfshirë kriteret dhe orientimet rreth propozimeve për kryetarë të Komunave, për këshilltarë komunalë si dhe programin të cilin LDK-ja do të ua ofrojë qytetarëve në zgjedhjet lokale.

“Kryetarët e Degëve të LDK-së, gjithashtu diskutuan dhe përkrahën fuqishëm kryetarin Isa Mustafa dhe Kryesinë e LDK-së në qëndrimet e partisë në raport me formimin e Qeverisë. Kryetarët e degëve siguruan kryetarin Mustafa se deputetët e degëve përkatëse, janë unikë dhe të bashkuar rreth qëndrimeve të LDK-së, dhe refuzimit të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se gjatë ditëve në vijim do të mbajë edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, kur edhe do të miratojë orientimet dhe kriteret për propozimet për kryetarë të Komunave.