LDK-ja e shqetësuar ‘me përpjekjen e Thaçit për ta marrë në dorë dialogun me Serbinë’

E publikuar: 01/07/2017 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media është shprehur se po përcjellë me shqetësim përpjekjet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që siç ka thënë “duke iu imponuar presidentit serb, Vuçiq, të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, me synim të realizimit të interesave të tij personale, e jo shtetërore”.

“LDK-ja konsideron se Thaçi, duke u implikuar drejtpërdrejtë në fushatë zgjedhore, ka dëshmuar se nuk e përfaqëson aspak unitetin e popullit të Kosovës, por vetëm partinë e tij”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në reagim, LDK thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, i ndërmjetësuar nga BE-ja e me praninë e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 11 Qershorit, pasi që edhe çështjet të cilat trajtohen janë në kompetenca kushtetuese të ministrive përkatësisht Qeverisë e jo Presidentit.