LDK i”lutet” Vetëvendosjes

E publikuar: 17/03/2016 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe LDK ka dënuar ashpër djegien e mbrëmshme të makinave shtetërore në disa qytete të Kosovës. LDK ka kërkuar nga partitë që aktivistët e tyre dyshohen se kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë sulmuar veturat dhe shtëpitë e zyrtarëve të institucioneve, të distancohen nga këta individ.

LDK-ja, përmes një reagimi, shprehet thellësisht e brengosur për këto vepra kriminale, të cilat janë akte në vazhdën e veprimeve të dhunshme që persona dhe grupe të caktuara po kryejnë mbi institucionet, pronat private e publike dhe mbi përfaqësuesit legjitim të vendit.

“LDK-ja kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë, që në përputhje të plotë me autorizimet e tyre ligjore, të zbulojnë nxitësit dhe zbatuesit e këtyre akteve, që po cenojnë rendin kushtetues dhe po tentojnë të zhysin vendin në kaos e anarki, me qëllim të përfitimeve personale e grupore.

Duke pasur parasysh zbulimin dhe arrestimin nga organet kompetente të individëve për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë sulmuar me bomba molotovi shtëpitë familjare dhe makinat e zyrtarëve të institucioneve, të cilët rezultojnë të jenë aktivistë të një subjekti politik, LDK-ja i bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të distancohen nga këta individë dhe të dënojnë aktet e një nate më parë”, thuhet në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se dhuna dhe djegiet nuk mund të jenë mjete për realizimin e synimeve politike në një shoqëri demokratike.

“Duke ftuar të gjitha subjektet politike për dialog dhe bashkëpunim institucional për avancimin e kauzave reale të qytetarëve të vendit, LDK-ja shpreh vendosmërinë e saj për të punuar me përkushtim në fuqizimin e gjithanshëm të proceseve demokratike dhe euroatlantike, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet e tjera mike”, përfundon reagimi i LDK-së.