Kuvendi i Shqipërisë e miraton projektrezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë

E publikuar: 07/07/2022 19:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë projektrezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Në votim morën pjesë 113 deputetë dhe të gjithë votuan pro.

Gjatë seancës u hodhën poshtë katër amendamente të propozuara nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu.

Projektrezoluta e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste, u bazua në rezolutat e Parlamentit Evropian dhe vlerësimet e Komisionit Evropian mbi gjenocidin në Srebrenicë, akte këto që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e autorëve dhe mbështetësve të tij.

Krahas dënimit të mohimit të gjenocidit në Srebrenicës, rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, po ashtu, synon të dënojë retorikën politike që nxit urrejtjen ndëretnike duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të luftës të kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë.

Në Srebrenicë u vranë 8 mijë e 372 burra dhe djem civilë boshnjakë nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995.