Policia e Kosovës ka ngritur Kallëzim Penal ndaj një personi i dyshuar se kishte vjedhur një miksetë (pajisje për zërim në Komunë) në Komunën e Gjakovës.
I dyshuari është djali i dajës së Drejtorit të Administratës në Komunën e Gjakovës, Armend Vokshi.
Zyrtari i Policisë në Njësinë e Hetimeve Rajonale, Bekim Avdija, ka thënë për Gazetën Express se kallëzimi penal ndaj të dyshuarit për vjedhjen e miksetës është ngritur nga Stacioni Policor i Gjakovës.
Ndërsa, me Drejtorin e Administratës, Armend Vokshi po merret Njësia e Hetimeve Rajonale.
“Policia e ka arrestuar një person të dyshuar lidhur me vjedhjen e miksetës. Ka dalë se i dyshuari për vjedhjen e miksetës është djali i dajës së Drejtorit të Administratës në Komunën e Gjakovës”, ka thënë Avdija.
Ai ka konfirmuar se ndaj Drejtorit të Administratës në Komunën e Gjakovës është ngritur kallëzim tjetër penal nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit.
“Ndaj Drejtorit të Administratës, Armend Vokshi është iniciuar kallëzim penal. Është për një rast që në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal me dyshimin se ka keqpërdorë pozitën apo autoritetin zyrtar dhe cënim i të drejtave në marrëdhënien e punës”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se lënda ka shkuar në Prokurorinë Themelore dhe hetimet po vazhdojnë.
Sipas tij, Drejtori Vokshi ia ka imponuar një punëtor blerjen e një miksete të re ose e ka kërcënuar me largim nga puna.
“Për rastin e vjedhjes së miksetës është ngritur Kallëzimi penal në nivelin e Stacionit në Gjakovë. Me rastin e keqpërdorimit të Drejtorit të Administratës është marrë Sektori i Hetimeve Rajonale”, ka thënë ai.