Kurti u kërkon bashkëpunim për energjetikë, akademikët ia dorëzojnë një dokument me opsione

E publikuar: 12/01/2022 20:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin kurti FB

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot vizitoi akademikët e Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Nga ta, kryeministri kërkoi bashkëpunim për energjetikë, ndërsa akademikët ia dorëzuan një dokument me opsione.Kurti në këtë takim shkoi me Minsitrin e Financave, Hekuran Muratin dhe zv. minsitrin e Ekonomisë, Mentor Arifaj, të cilët u pritën nga kreu i Akademisë së Shkencave, Mehmet Kraja dhe nënkryetarja, Justina Pula.

Në mes tjerash, Kurti kërkoi bashkëpunim lidhur me krizën energjetike që e ka kapluar Kosovën.

Akademiku Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e ASHAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, ku ndër të tjera u prezantuan edhe opsionet për furnizim me rrymë dhe çmim të arsyeshëm.

“Në këtë takim, akademik z.Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.”, thuhet në njoftim.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Zyrësë Kryeministrit drejtuar mediave:

Kryeministri Kurti u prit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të KosovësNë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati dhe Zëvendës ministri i Ekonomisë, z.Mentor Arifaj, u pritën nga akademiku z.Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave Akademik, akademike znj. Justina Pula, nënkryetare dhe anëtarët e AShAK-ut.Në pritjen e sotme, Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën, tha kryeministri Kurti. Në këtë fushë për shkencën, por në të tjerat edhe për artin e kulturën, shtoi ai.Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.

Ai veçoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.

Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh, tha kryeministri Kurti.Në këtë takim, akademik z.Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.