Kurti tregon për çka u dakorduan me komandantin e KFOR-it: S’duhet të ketë barrikada

E publikuar: 26/12/2022 13:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Angelo Michele Ristuccia-Kurti-Kfor

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Sipas Kurtit, në këtë takim është diskutuar edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend, njofton Klan Kosova.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të qeverisë:

Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.

Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Për këtë takim ka njoftuar edhe vetë KFOR-i përmes një shkrimi në Twitter.

“Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua sot me Albin Kurtin dhe Lars-Gunnar Wigermark për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë”.