Kurti takon kongresistin amerikan Jason Crow, e fton që ta vizitojë Kosovën

E publikuar: 01/10/2024 21:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në margjina të Forumit të Varshavës për Siguri, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shoqëruar edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u takua me kongresistin amerikan, Jason Crow.

Në njoftimin e ZKM-së thuhet se kryeministri Kurti e njohu kongresistin me vizitën më të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe takimet produktive e të frytshme të mbajtura atje.

Ai e falënderoi kongresistin për përkrahjen e vazhdueshme dhe advokimin e zëshëm të tij për Kosovën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Bashkëbiseduan edhe rreth rolit të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një urë e fuqishme lidhëse mes dy shteteve tona, por edhe si kontribuuese e rëndësishme në jetën shoqërore amerikane”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Crow që ta vizitojë Kosovën, duke shprehur se është i mirëseardhur në vendin tonë.