Kurti shfuqizon vendimet e Haradinajt për tokat e AKP-së që iu ishin dhënë Komunave

E publikuar: 30/04/2022 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka shfuqizuar vendimet e ish-kryeministrit Haradinaj për dhënien e tokave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit disa komunave.

Kurti tha se pronat duhet t’i kthehen AKP-së dhe se kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet sipas tij është i pakompromis raporton Gazeta Express.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimeve të qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP-ja në komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit. Zbatimi i ligjshmërisë është parim themelor me të cilën udhëhiqet qeveria jonë për këtë kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet është i pakompromis. Vendimet e ish-qeverisë Haradinaj përmes të cilave tokat e AKP u ndahen komunave të caktuara sot duhen shfuqizuar përshkak të rrethanave të ndryshuara ligjore”, tha Kurti.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendimet duhet të shfuqizohen për arsye që s’janë zbatuar dhe përshkak të ndryshimit të ligjit.

“MAPL ka sjellë për miratim shfuqizimin e disa vendimeve të ish-qeverisë Haradinaj. Propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit bazohet për arsye se këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen dhe për faktin se në vitin 2019 ka ndryshuar ligji i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale dhe këtë duhet ta harmonizojmë”, tha ministri Krasniqi.

Kabineti qeveritar miratoi me shumicë votash propozim-vendimin e ministrisë së Pushtetit Lokal.