Kurti pret një delegacion nga Zvicra në krye me ish-ambasadorin, ZKM: Mysafirët u interesuan për ta njohur më thellë vendin

E publikuar: 09/09/2024 15:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim një delegacion nga Zvicra, i udhëhequr nga ish-ambasadori i shtetit helvetik në Kosovë, Thomas Kolly.

Kurti diskutoi për “tema të ndryshme” me grupin që zyra e tij tha se “ka udhëtuar drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor në një vizitë studimore,”.

“Përgjatë takimit u cekën tema të ndryshme, me interes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Urat e bashkëpunimit mes nesh si shtete por edhe si shoqëri, të cilat kultivohen e thellohen edhe më tej përmes diasporës sonë në Zvicër, u vlerësuan lart nga kryeministri dhe personalitetet e pranishme në takim të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, si mjekësia, komunikimi dhe arkitektura. Kryeministri theksoi se diaspora kosovare në Zvicër ka një ndikim të madh, jo vetëm për numrin e saj të madh, por edhe për remitancat, ku mbi 20% e remitancave që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra”, njoftoi ZKM.

Kryeministri vuri në pah “rolin e rëndësishëm të Zvicrës si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe që vazhdon të kontribuojë përmes programeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC)’. ZKM tregon se ai nënvizoi rëndësinë e sistemit të arsimit dual, ku Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me tregun e punës, duke ndihmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore të re”.

“Më tej, u fol edhe për përfshirjen e grave në fushat e STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, ku aktualisht 50% e studentëve në këto fusha janë gra. Gjithashtu, u diskutua edhe për Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2022 – 2031, ku ankandi i parë për energjitë e rinovueshme përfundoi me sukses përmes një konsorciumi zvicerano-gjerman”, thuhet në njoftim.

Kurti i falënderoi pjesëmarrësit për “interesin e tyre për ta njohur më thellë e më mirë vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thotë ZKM. Ai thuhet se ua shprehu mirënjohjen mysafirëve për “bisedën e hapur dhe plot shkëmbime të dijes të zhvilluar ditën e sotme”.