Kurti: Krim ndaj Astrit Deharit është bërë prej ditës kur është arrestuar

E publikuar: 16/03/2018 16:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në interpelancën e thirrur nga subjekti i tij politik për kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me vdekjen e aktivistit të VV-së në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari, ka thënë se ndaj këtij aktivisti është bërë krim qysh prej kohës kur është arrestuar.

Kurti në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se shteti ka gënjyer kur e ka arrestuar Deharin. Ka thënë se aktivisti i VV-së nuk ka vdekur nga medikamentet e tepruara.

“Në qelinë A3 me 5 nëntor 2016 ka vdekur një qytetar i pafajshëm, i pa dënuar, i pa gjykuar, i pa aktakuzë, e i pa intervistuar. Shteti ka gënjyer kur Astriti është arrestuar, shteti ka gënjyer pse Astriti ka vdekur. Astriti nuk ka vdekur me medikamente të tepruara, ekspertiza ligjore ka konstatuar se për 11 lloje të medikamenteve janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv. Njëmbëdhjetë lloje të medikamenteve, kurrfarë medikamenti në të, trup plotësisht i shëndoshë fizikisht e psiqikisht. Raporti i autopsisë konstatoj se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes nga mjete të forta, një shishe e plastikës”, ka thënë Kurti.

Më tej kryetari i VV-së ka thënë se është bërë krim ndaj Deharit qysh në ditën kur është arrestuar.

“Drejtësia i nxjerrë jashtë shoqërisë kriminelët dhe i fut brenda në burg. Mirëpo në Kosovë, drejtësia dhe sistemi prej burgut të gjyqësia, prej qeveria të prokuroria dhe policia janë bërë edhe vet ato vende krimi. Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë pra me 5 nëntor 2016 Astriti ngelet katër minuta e gjysmë në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasi që ishte gjetur aty, për katër minuta njeriu vdesë katër herë”, theksoi Kurti./insajderi/