Kurti i thotë Blinkenit: Takimi i të enjtes s’u bë trelateral për shkak të mosgatishmërisë së Vuçiqit

E publikuar: 26/06/2023 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Blinken-Kurti-Osmani-FB

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zhvilluar sot pasdite një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Ata kanë diskutuar për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’rast Kurti e ka njoftuar Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë, njofton Klan Kosova.

Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeminstrit.

Sipas kësaj komunikate, të dy janë pajtuar që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.​