Kurti i njofton ambasadorët e akredituar në Kosovë me “agresionin” e Serbisë, kërkon dënim

E publikuar: 15/06/2023 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendësin Besnik Bislimi, ftuan sot për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, “temë qendrore e bisedës dhe diskutimit ishte situata e sigurisë në veri të vendit pas agresionit serb të djeshëm ndaj Republikës së Kosovës”.

Kryeministri thuhet se njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt sot në mëngjes, dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.

Kryeministri tha që ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot.