Kuçi kërkon buxhet për Trepçën, Hoti kërkon fillimisht dakordim me MF-në

E publikuar: 13/11/2020 11:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka propozuar që për shkak të situatës në ndërmarrjen Trepça, të futet në shqyrtim vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetor nga programi i rimëkëmbjes ekonomike. E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kërkoi fillimisht të diskutojnë me Ministrinë e Financave dhe nëse gjejnë zgjidhje, pastaj të diskutojnë në mbledhje elektronike.

Kuçi tha se këto mjete mund të merren nga programi për rimëkëmbje elektronike.

“Në programin për ndërmarrje për ndërmarrësi baretet ajo shumë 1 milion euro tek njësia monitoruese “, tha Kuçi.

Kurse, kreu i ekzekutivit kërkoi për këtë pikë më shumë diskutim me Ministrinë e Financave.

“Unë propozoj që menjëherë pas mbledhjes të ulemi me Ministrinë e Financave të bëjmë dakordimet e nevojshme dhe nëse gjejmë zgjidhjen e dërgojmë menjëherë në mbledhje elektronike të qeverisë sepse besoj që kemi nevojë për shqyrtime të mëtejme”, tha Hoti.

Gjatë kësaj mbledhje Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar ndryshim plotësimin e programit legjislativ të vitit 2020.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj tha se nga zyra ligjore është kërkuar që të shtyhet afati i miratimit të disa projektligjeve. Ai madje tha se edhe disa projektligje janë tërhequr nga programi legjislativ i Qeverisë së Kosovës për vitin 2020 dhe janë bartur te programi i vitit 2021.

“Sipas propozimit të zyrës ligjore kërkohet të ndryshohet dhe plotësohet program legjislativ në vitin 2020 të Qeverisë së Kosovës si në vijim: shtyhet afati i miratimit në Qeveri i këtyre projektligjeve: Projektligji për Partneritet dhe Publiko-Privat, afati i miratimit 30.11.2020. Projektligji për Financa e Pushtetit Lokal, afati i miratimit: 30.11.2020. Projektligji për Llogarinë e Kosovës, afati i miratimit 30.11.2020 , Projektligji për Borxhin Publik, afati i miratimit 30.11.2020. Tërhiqen nga programi legjislativ për vitin 2020 Qeverisë së Kosovës dhe barten për vitin 2021:Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave, Projektligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës, projektligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, Projektligjit për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet jo bankare, projektligji për tatim në të ardhurat personale, dhe projektligji për tatim në vlerën e shtuar”, tha Selmanaj.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim-vendimin që t’i procedojë Kuvendit të Kosovës nismën Legjislative për Projektligjin për ndryshimin për statutin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj tha se Qeveria e Kosovës deri në krijim e rrethanave të reja më të favorshme buxhetore ofron mendimin që një nismë e tillë ligjore të mos aprovohet nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Nisma legjislative nuk e ka përcaktuar periudhën kohore prej kur fillon të llogaritet kontributi i dhënë për lirin e vendit, i cili do shërbente si bazë për realizimin e të drejtave siç përcaktohen në ligjin bazik. Për shkak të gjendjes aktuale ekonomike si pasojë e pandemisë shkaktuar nga COVID-19 dhe vështirësive buxhetore nëpër të cilën po kalon vendi duke pasur parasysh se departamenti i buxhetit në ministrinë e Financave dhe në mendimin e saj për nismën legjislative ka konstatuar se nuk është bërë identifikimi i burimeve të financimeve në ndarjet e tjera buxhetore për mbulimin e kostos shtesë, prandaj nuk ka rekomanduar aprovimin e këtij plotësim- ndryshimin. Nisur nga rrethanat e lartë-cekur qeveria e Kosovës deri në krijim e rrethanave të reja më të favorshme buxhetore ofron mendimin që një nismë e tillë ligjore të mos aprovohet nga ana e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Selmanaj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për bartjen e mjeteve nga kategoria “mallra shpenzime” në kategorinë “shpenzime kapitale”.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se këtë bartje të mjeteve e ka kërkuar MSH me qëllim të furnizimit me pajisje speciale mjekësore dhe nevoja tjera për shërbime shëndetësore në luftimin e pandemisë.

“Kërkesa ka të bëjë me transfer të mjeteve në përputhje me Ligjin për Financa Publike, ka të bëjë me Ministrinë e Shëndetësisë që këto mjete të barten nga Administrata Qendrore … këtij projekti I shtohen burime e financimit se është projekt ekzistues huamarrje për arsye së situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 për furnizim me pajisje speciale mjekësore, për nevoja shërbime spitalore klinik universitar”, deklaroi Krasniqi.

Qeveria e Kosovës ka emëruar në krye të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqin pasi që kryeshefit aktual, Valdet Gjinovcit i ka përfunduar mandati.

“Për emërimin e anëtarëve të bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Qëllimi i parashtrimit të këtij propozimi është sepse Valdet Gjinovcit kryeshef ekzekutiv i Agjencisë e ka përfunduar mandatin andaj në vend të tij propozohet të emërohet Naser Krasniqi, zëvendëskryeshef nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë“, deklaroi ai.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka emëruar Rreze Gecaj anëtare të Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Reformën në Fushën e Inspektimeve.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe propozim vendimi për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Përparimi” SH.A në Vushtrri./B.Ibishi/