Kryhet ekspertiza: Policët Armend Trena dhe Malësor Dashi u vetaksidentuan

E publikuar: 11/05/2018 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy policët që ranë në lumin Lepenc, Armend Trena dhe Malësor Dashi, sipas raportit të ekspertizës së komunikacionit janë vetaksidentuar. Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari
Kryeprokurori i Prokurorisë ka thënë se kanë marrë raportin e ekspertizës së veturës, dhe konfirmoi se ajo thotë se policët që u gjetën javën e kaluar në Lepenc, janë vetaksidentuar.

“E kemi marrë raportin e ekspertizës dhe sipas tij gjendja e automjetit ka qenë në rregull, nuk ka pasur probleme. Po ashtu, në raport thuhet se rasti ka qenë vetë aksident”, tha kryeprokurori Jashari për Gazetën Express.

Mirëpo, autopsia e trupave që u gjetën javën e kaluar në Lepenc, ende nuk është publikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ky raport, fillimisht do t’i dorëzohet vetë kryeprokurorit Jashari.

Dimë se dy policët u aksidentuan më 28 prill të muajit të kaluar. Trupi i Malësor Dashit u gjet pesë kilometra nga vendi i ngjarjes, ky dyshohej fillimisht se kishte rënë vetura. Ndërsa, trupi i Armend Trenës, u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve, gjashtë kilometra nga vendi i ngjarjes, në lumin Lepenc më saktësisht në vendin e quajtur “Kulla me Çeshme”. /GazetaExpress/