Kryetari i Kamenicës dëbon KTV-në nga salla e KK dhe ofendon ekipin televiziv [video]

E publikuar: 22/06/2015 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kamenicës, Begzat Sinani, ka nxjerrë jashtë ekipin e KTV-së nga mbledhja, ku po diskutohej për zhavorrin. Ndonëse ekipi i KTV-së ishte ftuar nga nënkryetari, Sinani ka thënë se nuk lejon prani të mediave pa ftesë. E kryeinspektori i komunës së Kamenicës ka një aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pikërisht në lidhje me zhavorrin.

Sinani po fliste për pastrim lumenjsh në fshatin Shipashnicë e Epërme, por kur përfundoi fjalimin me premtime, kryetari i Kamenicës, ndonëse tërë kohën pati para vetës mikrofonin e KTV-së, filloi të marrë në pyetje zëdhënësin, raporton KTV.

Ndonëse gazetari i tregon se ka kuptuar për takimin nga nënkryetari, Sinani jep urdhër të prerë që ekipi të nxirret jashtë.

Insistimi i gazetarit nuk i ka pëlqyer Sinanit, i cili tha se nuk ka prezencë të medieve pa dijeninë e tij.

Për këtë, kameramanin Xhengiz Maqedonci e cilësoi pishpirik e gazetarin Feim Azemi kapadai.

“Mos u bo kapadai këtu, mos u bo krahë përpjetë’, ‘msohu pak, e ke kry fakultetin me siguri’. ‘Mos u bo edhe ti pishpirik se s’je’”, ka thënë Sinani.

Ndërkohë, banorët e fshatit, për të cilët Sinani premtoi ujë të pijshëm, thonë se në realitet komuna e as qeveria nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Pikërisht për zhavorrin, drejtori i inspektoratit komunal, Refik Latifaj, po hetohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Ai akuzohet se u ka dhënë instruksione pronarëve ilegalë të zhavorrit në këtë komunë, duke i ndihmuar ata në kompletimin e dokumentacionit të rrejshëm për bartjen e rërës në mënyrë të rregullt, transmeton Koha.net.

Në këto dokumente figuronte se zhavorri vjen nga Serbia, por në fakt ishte nxjerrë nga lumenjtë e Kamenicës.