Në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal të Gjilanit për vitin 2015, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka raportuar për punën 1 vjeçare gjatë vitit 2014 për zyrat së tij dhe të drejtorive komunale.
Duke folur për shtyllën e parë të punës, që është buxheti, Haziri ka thënë se viti 2014 ka qenë vit i sfidave për qeverisjen e re lokale shkaku i borxheve të trashëguara, por që është punuar shumë në bazë të një disipline të ashpër buxhetore për të vënë rend në Komunë.
Nga borxhet milionëshe, Haziri tha sa brenda një viti Komuna ka arritur t’i shlyej 2.6 milionë euro borxhe të trashëguara, ndërsa tha se ka performancë të volitshme të pjesëmarrjes së të hyrave vetanake në buxhetin total të komunës prej 18.45%, apo 4.157.062,83€ (të hyrat dhe të hyrat e bartura nga viti paraprak) nga gjithsej buxheti i planifikuar i komunës prej 22.531.725,19€.
“Në këtë përqindje të volitshme kanë ndikuar të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme, derisa të hyrat e tjera nga taksat reflektojnë vetëm koston e shërbimit që komuna ofron për qytetarë. Komuna ka arritur të inkasoi 97.84% të shprehura në shifra 3.698.329,51€ të të hyrave vetanake të planifikuara për vitin 2014 dhe krahasuar me vitin 2013 është shënuar ngritje për 12.44%”, është shprehur kryetari Haziri.
Kreu i Gjilanit tha se ka pasur bashkëpunim të mirë me GIZ-in gjerman në projektin për menaxhimin e mbeturinave, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)- me të cilët është punuar në fuqizimin e marrëdhënieve mes Komunës së Gjilanit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me KFW (bankën gjermane për zhvillim)- lidhur me projektet të cilat kanë të bëjnë me efiçencën e energjisë kryesisht në ndërtesa publike ku përfshihen: objekte komunale (administrata) shkollat dhe ambulancat.
Në paraqitjen e raportit vjetor para këshilltarëve komunal, Haziri përmendi projektet konkrete të realizuara me organizatat ndërkombëtare si mbështetje për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme.
“Programi BE-Kosova e bukur faza e II-të, projekti “Ndërtimi i parkut të qytetit në lagjen “Dardania I, vlera e projektit: 244,927.00 €, Komisioni Evropian me 183,695€ Komuna e Gjilanit me 61,231€, Programi BE – EURED, projekti “Zhvillimi Ekonomik Lokal dhe i Bujqësisë”, vlera e projektit: 514,800 €, Komisioni Evropian me 468,000€, Komuna e Gjilanit me 46,800 €, Programi BE-BNK, Bashkëpunimi Ndërkufitarë, projekti “Valorizimi i tregtisë tradicionale dhe potenciali socio ekonomik”, vlera e projektit: 551,742.00€, Partner: Komuna e Gjilanit (KS) & Komuna e Çairit (MK) Organizata AgorEko (Gjilan) dhe Iniciative For European Perspective (Çaire)”, tha Haziri.
Lidhur me partneritetin publiko-privat, i pari i gjilanasve tha se ka identifikuar projektet dhe së shpejti do të fillohet me përgatitjen e fizibilitetit për këto projekte “ndërtimi i objektit të Çerdhes në lagjen “Dardania, “Palestra e sporteve”, “Transporti publik”, Shkolla e mesme bujqësore “Arbëria” etj.
Sa i përket infrastrukturës lokale, kryetari Haziri tha se komuna ka shpenzuar gjatë vitit 2014 1,234,517.35 euro për investime në këtë fushë për shkak të nevojave të shumta që ka komuna për rrugë, kanalizime dhe ndriçim të standardit ndërkombëtarë, sidomos rrugët kryesore, që ndikojnë në lehtësimin e qarkullimit në qytet dhe më gjerë.
“Janë rregulluar 1031m’ ujësjellës, 1971m’ kanalizime dhe 5579.86m² kubëza betoni, rrugë të rendit të tretë (trase dhe shtruarje me zhavorr) 63.207m’. Të gjitha këto kanë përmirësuar dukshëm jetën e qytetarëve, por nevojat ende mbesin të mëdha dhe si rezultat, komuna do të vazhdojë investime madhore në infrastrukturë edhe në vitin 2015.”, u shpreh Haziri.
Tutje, Kryetari i Komunës tha se në vazhdën e bashkëpunimit ndër-komunal, ka qenë nikoqir i takimit të kryetarëve të 11 komunave të regjionit lindje, për koordinimin e projekteve të përbashkëta e të cilin e ka organizuar komuna në bashkëpunim me Agjencionin zhvillimor rajonal–lindje, ku kanë marrë pjesë: Kamenica, Vitia, Ferizaj, Kaçaniku, Novobërda, Hani i Elezit, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu e Shtërpca dhe përfaqësues të KFOR-it për sektorin jug-lindje dhe përfaqësues të Zyrës Rajonale të OSBE-së.
Komunikimi me qytetarë dhe informimi për shpenzimin e buxhetit dhe investimet kapitale në fusha të ndryshme gjatë vitit 2014, ka qenë prioritet i tij, shtoi ai.
Ai përmendi punën e madhe që është bërë edhe në sektorin e arsimit, duke krijuar klimë të mirë për edukimin e brezave të rinj, pastaj ka folur për sfidat dhe sukseset dhe projektet në shëndetësi, në urbanizëm dhe mbrojtje të mjedisit, për ndihmën e dhënë në zbutjen e gjendjes së rëndë sociale, për kadastër dhe gjeodezi, në administratë etj.