Kryetari i Bordit të Universitetit të Prizrenit mban ligjërata jashtëligjshëm

E publikuar: 04/04/2016 09:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Bordit të Universitetit të Prizrenit, Bekim Gashi, mban jashtëligjshëm mësim në këtë institucion, dhe thotë se ka thirrje akademike pa e pasur atë, shkruan sot Koha Ditore.

Që nga semestri veror i këtij viti akademik, Gashi përveç si kryesues i Bordit të UPZ-së, ka filluar të mbajë edhe mësim aty me studentë, ndonëse Ligji për Arsimin e Lartë dhe Statuti i Universitetit ua ndalon anëtarëve të këtij organi që janë të emëruar nga MASHT-ti si anëtarë të jashtëm, që të kenë lidhje të drejtpërdrejta me institucionin ku emërohet.

“Asnjë nga anëtarët e emëruar nuk duhet të ketë lidhje të drejtpërdrejta aktuale me institucionin në të cilin emërohet”, thuhet në pikën 2 të nenit 18, të Ligjit për Arsimin e Lartë, ku flitet për anëtarët që MASHT-i emëron nëpër bordet e universiteteve publike në vend.

I njëjti paragraf është pjesë e Statutit të UPZ-së, me të njëjtin nen dhe pikë, sikurse në Ligj.

E një shkelje tjetër e bërë nga Gashi është titulli akademik i tij, i cili figuron si profesor asistent në orarin e mësimit tek lënda edukimi mjedisor-lëndë e obligueshme për studentët. Gashi, në fakt, nuk e ka titullin e profesorit, pasi që është vetëm asistent.