KRU “Prishtina” detyrohet t’i paguajë 83 mijë euro dëmshpërblim për përmbytjen e një lokali në kryeqytet

E publikuar: 07/07/2025 04:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të duhet të paguajë 83 mijë e 869 euro në emër të kompensimit të dëmit ndaj një kompania farmaceutike, kjo për shkak të përmbytjes së lokalit të kësaj të fundit nga ujërat e zeza, raporton Infosot.

Kompanisë farmaceutike i ishte vërshuar biznesi nga ujërat e zeza, që është përgjegjësi e KRU “Prishtina” që të kujdeset dhe ta mirëmbaj rrjetin e kanalizimit.

Kompania “Yespharma”, për shkak të përmbytjes së lokalit ka ushtruar padi ndaj KRU Prishtina, duke e fituar rastin edhe në shkallë të dytë, që detyron ndërmarrjen publike ta kompensojë dëmin e shkaktuar, raporton Infosot.

Vendimi u mor më 20 maj 2025 nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë, e cila, pas një procesi të gjatë gjyqësor që nisi që nga viti 2009, e gjeti përgjegjëse KRU “Prishtina” për mosmirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit, që çoi në dëmtime të mëdha të barnave dhe inventarit në lokalin e “Yespharma” në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Përveç shumës mbi 83 mijë euro që përfaqëson kompensimin për dëmet materiale, KRU “Prishtina” do të duhet të paguaj edhe kamatat për periudhën që nga data e padisë më 16 shtator 2009, deri në momentin e pagesës finale. Gjykata urdhëroi që pagesa të bëhet brenda 7 ditësh nga dita kur vendimi merr formë të prerë. Shtesë kësaj, kompania duhet të mbulojë edhe 4,250 euro shpenzime procedurale të procesit gjyqësor.

Sipas vendimit të Gjykatës, e çuditshme është se ndonëse gjykata e konfirmoi se përgjegjësinë për dëmin e kishin ndarë në mënyrë të barabartë edhe qiramarrësi e qiradhënësi i lokalit, përfshirë këtu edhe faktin se pronari i lokalit ishte dënuar penalisht për lidhje të paligjshme të kanalizimi, KRU “Prishtina” u gjet gjithsesi përgjegjëse për gjysmën e dëmit të përgjithshëm, për shkak të neglizhencës në mirëmbajtje të rrjetit të kanalizimit dhe për lejimin e funksionimit të një lidhjeje të paligjshme.

Në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Dytë theksoi se kompania kishte dështuar të ndërhynte me kohë për të ndaluar lidhjen ilegale, përkundër që kishte nisur ta faturojë biznesin “Yespharma” për shërbimet që nuk ishin të mbuluara nga ndonjë kontratë formale. Kjo situatë, sipas gjykatës, e dëshmon një raport kontraktual faktik dhe i jep përgjegjësi ligjore kompanisë për dëmshpërblim./Infosot/

KRU Prishtina Yes Farma + (Dokument)