Krasniqi i kundërpërgjigjet Konjufcës: Me deklaratën e presidentëve janë hequr shqetësimet

E publikuar: 21/02/2018 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

20:44 – Deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve, atij të Kosovës dhe Malit të Zi për procesin e demarkacionit, nuk është e pafuqishme, sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, që më herët tha se kjo deklaratë ishte vetëm justifikim për kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Ne po flasim për një deklaratë që e kanë nënshkruar dy krerë të shteteve, që e kanë fuqinë kushtetuese për me marrë vendime në vendin e tyre”, ka thënë Krasniqi. “Neni 7 e ka krijuar mundësinë për korrigjime të caktuara. Ne jemi në një situatë tjetër sepse deklarata e presidentit i heq shqetësimet që i kanë pas kundërshtuese”.

Mirëpo Konjufca fajtor për situatën e krijuar e gjen presidentin e vendit.

“Nyja është Hashim Thaci. Pyeteni secilin njohës të se drejtës ndërkombëtare dhe unë mendoj se kjo është shaka. Mali i Zi e ka për obligim vetëm marrëveshjen që e ka nënshkruar”, përfundoi ai.

Nesër Kuvendi i Kosovës do të votojë në seancë për ratifikimin e demarkacionit, ndërsa bashkë me të deputetëve u është dërguar edhe raporti i komisionit Bulliqi dhe deklarata e dy presidentëve.

Konjufca: Deklarata e presidentëve për demarkacion, justifikim për Haradinajn

Deklarata e nënshkruar mes presidentit Hashim Thaci dhe kryetarit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për demarkacion, sipas deputetit të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, është strategji justifikuese për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se kjo deklaratë nuk e obligon Malin e Zi në aspektin e së drejtës ndërkombëtare.

“Është strategji dalëse e kryeministrit për te justifikuar ndryshimin e qëndrimit të tij. Ne mendojmë që ai ka lëvizur nga qëndrimi i tij. Deklarata Thaci – Vujanoviq nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes së Malit të Zi duke qenë se ajo është ratifikuar nga Mali Zi”, ka thënë ai./koha.net/