Krasniqi e Lajçak flasin për zhvillimet në Veri

E publikuar: 14/11/2022 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar në Bruksel me me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, situatë për të cilën nevojiten veprime të përgjegjshme politike”, shkroi Krasniqi në Facebook.

“Emisarit Lajçak i ritheksova qëndrimin për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër dhe e cila garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Krasniqi ka theksuar se integrimi euro-atlantik i Kosovës është rruga e vetme përpara, për të cilën, “unë dhe Partia Demokratike e Kosovës mbesim thellësisht të përkushtuar”.

Më 13 nëntor, Krasniqi ka njoftuar se gjatë javës kësaj jave do të ketë takime të shumta në Bruksel dhe Washington.

“Kohët e vështira kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim me partnerët e vërtetë, të besueshëm dhe strategjikë. Me miq të cilët ia duan të mirën Kosovës, popullit tonë dhe që mbajnë gjithmonë dyert hapur për ne”.

Kreu i PDK-së do të ketë takime edhe në Kongres e Senat.