Krahu i luftës i jep mbështetje Bekim Jasharit, LDK e VV e sfidojnë

E publikuar: 25/08/2017 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gara për kryetar të komunës së Skenderajt, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit pritet të kryesohet nga tre kandidatë kryesor, ku përveç Bekim Jasharit i cili ka shpallur kandidaturën e tij si i pavarur, atë pritet ta sfidojnë Isa Fejzullahu nga radhët e LDK-së dhe Hysni Mehani nga Vetëvendosje.

Shkodran Hoti, zëdhënës i Vetëvendosjes ka thënë për Indeksonline se emri i kandidatit i tyre për Skenderaj ka shkuar në listat për certifikim në KQZ.

“Hysni Mehani është kandidati ynë që do të garoj për zgjedhjet lokale në komunën e Skenderajt. Emri i tij ka shkuar në listat e kandidatëve për certifikim nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq vetë kandidati i LDK-së, Isa Fejzullahu ka konfirmuar kandidaturën e tij në garën për të parin e komunës së Skenderajt.

“Po unë jam kandidati i propozuar nga LDK-ja, dhe mund tua konfirmoj se do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale”, ka thënë shkurt Fejzullahu për Indeksonline.

Ndërkaq burime nga AAK, bëjnë të dituar se ky subjekt nuk ka paraqitur fare kandidat në zgjedhjet lokale për këtë komunë sikurse nuk kanë paraqitur as dy partitë tjera të krahut të luftës, PDK e NISMA./Indeksonline/