Komisioni për Zhvillim Ekonomik diskuton Projektligjin për Patentë-shofer
Pajisja do të bëhet sipas kërkesës së të interesuarve
Komisioni iu kthye prapë këtyre amendamenteve, me qëllim të harmonizimit të tyre me propozimet e Komisionit për legjislacion
Komisioni për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, nën drejtimin e kryesuesit Muhamet Mustafa, ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi Projektligjin për patentë- shofer, të kthyer nga Kuvendi në komision për shqyrtim të tretë. Kryesuesi i takimit, deputeti Muhamet Mustafa(LDK), tha se arsyeja e mosmiratimit të projektligjit ishte mospajtimi i Komisionit për legjislacion me disa nga amendamentet e këtij projektligji, andaj komisioni iu kthye prapë këtyre amendamenteve, me qëllim të harmonizimit të tyre me propozimet e Komisionit për legjislacion. Si u tha në këtë mbledhje, është patentë-shoferi ndërkombëtar që ishte pika kundërshtuese për Komisionin për legjislacion, të cilët janë të mendimit se nuk duhet të ekzistojnë dy lloje të patentë- shoferit, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.
Dy pikat kontestuese
Përfaqësuesi nga Ministria e Infrastrukturës dhe kryesuesi i grupit punues për këtë projektligj shpjeguan se ky lloj i patentë- shoferit është dokument plotë- sues, lëshohet me kërkesën e palës dhe është në përputhje me Konventën e Vjenës për trafikun, të vitit 1968. Sipas tyre, për shkak se ka pasur kërkesa për dokument të tillë nga qytetarët, ky dokument duhet të përfshihet në ligj. Pika tjetër, të cilën e kishin kundërshtuar Komisioni për legjislacion, kishte të bënte me termin – gjobë në të holla, ku, sipas tyre, nuk duhet të specifikohet fjala ‘në të holla’, sepse gjoba nënkupton dënim në të holla. Komisioni vendosi që projektligji të procedohet tutje me amendamentet e tyre. Komisioni e ka angazhuar kryesuesin e grupit punues, Raif Qela (PDK), që të takohet me anëtarët e Komisionit për legjislacion dhe t’ua shpjegojë atyre vendimin e komisionit dhe mundësisht të gjejnë ndonjë opsion të pranueshëm për të dy palët.
Patenta ndërkombëtare sipas konventave
Në një prononcim për “Kosova Sot”, deputeti Besim Beqaj (PDK) tha se komisioni mori vendim se do të ketë vetëm një patentë- shoferi, e cila është obliguese, derisa, sipas tij, patenta e shoferit ndërkombëtare do të jepet sipas kërkesës së qytetarit, por në harmoni me konventa ndërkombëtare, të cilat i përcaktojnë rregullat e patentës ndërkombëtare. Deputeti Beqaj sqaroi se arsyetimi i ministrisë dhe i grupeve punuese ishte se ka shtete që nuk e pranojnë patentën tonë nacionale dhe ende nuk e kanë pranuar shtetin e Kosovës. Por, në të njëjtën kohë këto shtete janë të obliguara që ta pranojnë, pra ato janë të detyruara që ta pranojnë patentën ndërkombëtare, të lëshuar nga organet e shtetit të Kosovës, sipas normave ndërkombëtare. Beqaj sqaroi se amendamenti do të jetë në atë mënyrë që patentë-shoferi ndërkombëtar të jetë dokument shtesë, që jepet në kërkesë të qytetarit, por konform konventave ndërkombëtare.
(Kosova Sot)


















