Kosova me strategji kundër ekstremizmit fetar

E publikuar: 20/02/2018 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova viteve të fundit është përballur me një gjeneratë të re të kosovarëve që i janë bashkuar luftës së Shtetit Islamik në Siri e Irak. Aktualisht Qeveria e Kosovës po zbaton një strategji nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Aktualisht autoritet në Kosovë po zbatojnë një strategji kundër ekstremizmit fetar dhe terrorizmit. Strategjia përfshin gjithashtu riintegrimin e atyre që shkuan të luftonin përkrah Shtetit Islamik dhe më pas u kthyen në vend.

Koordinatori Nacional i Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, Lulzim Fushtica, shpjegon faktorët që kanë ndikuar në rritjen e ekstremizmit fetar.

“Nëse shikohen arsyet, apo siç thuhet në gjuhen profesionale push and pull faktorët, nuk kemi has në një faktor kyç. Prej të gjitha rasteve të luftëtarëve që kanë shkuar në zona të konfliktit, arsyet kanë qenë të nduardurshme. A është aspekti fetar,social apo aventurë, nuk kemi një shabllon. Të gjitha rastet janë individuale”, shprehet Fushtica.

Sipas të dhënave zyrtare, pas krijimit të Shtetit Islamik rreth 320 persona nga Kosova i janë bashkuar këtij grupi terrorist në Siri dhe Irak. Ndërsa të paktën 65 prej tyre raportohet të jenë vrarë.

Fushtica shpjegon se indoktrinomi i tyre ka ndodhur për një kohë të gjatë, përderisa thekson papunësinë, mungesën e perspektivës, varfërinë dhe shpesh nivelin e ulët të edukimit, si bazë e mirë që u shfrytëzua nga rekrutët.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se institucionet kanë punuar në dizajnimin e politikave të sigurisë, por nevojitet të avancohet komunikimi, e posaçërisht me shoqërinë civile.

Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se angazhimi i familjes dhe autoriteteve lokale mbetet esencial për t’u ballafaquar me këtë problem. “Angazhimi më i madh i autoriteteve lokale dhe familjes duhet të jetë angazhimi i të gjithëve, pa marrë parasysh çfarë sistemi të punës kanë”, deklaroi ai.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë kanë operuar shumë organizata islamike, një pjesë e të cilave aktivitetin e tyre humanitar shpesh e kanë përdorur si mbulim për përhapje të propagandës religjioze.

Ndonëse autoritet në Kosovë ua kanë pezulluar aktivitetin shumë organizatave jo qeveritare, Fushtica thotë se në strategjinë anti-ekstremizëm dhe antiterrorizëm nuk parashihet ndonjë aktivitet tjetër për kontrollin e tyre.

“Me strategji nuk shihet një aktivitet, kjo është punë e Policisë së Kosovës, është folur se këta kanë qenë një prej faktorëve, por jo determinues”, tha ai.

Kryeimami i Prishtinës, Sabri Bajgora, ka thënë se nuk është xhamia i vetmi vend ku mund t’i drejtohesh xhematit. Ai kërkon mbështetje nga institucionet e vendit, mbështetjen e shoqërisë civile, në mënyrë që të depërtohet në bërthamën e problemit.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin. Kjo nuk ka ardhur brenda një nate, por është proces që ka zgjat me vite të tëra dhe ka ndikuar edhe në vendet fqinje. Është ngulitur në mendjen e të të rinjve. Kanë hyrë dhe kanë dalë teologë që kanë bërë pastrimin e trurit të një pjese të popullatës”, deklaroi ai.

Strategjia kundër ekstremizmit fetar dhe terrorizmit i lë një vend të rëndësishëm Ministrisë së Arsimit. Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, thotë se pavarësisht që arsimi është faktor kyç në parandalim, u nevojitet edhe bashkëpunim ndërinstitucional.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në një deklaratë të mëhershme pati thënë se Kosova nuk duhet të lejojë përfshirjen e fëmijëve të saj në fushëbeteja.

“Nuk guxojmë t’i mbyllim sytë, nuk guxojmë të pranojnë që fëmijët tanë me qenë në fushëbeteja, e që po vijnë prej se largu me na i marrë fëmijët. Arsimi duhet me qenë vendi ku zhvillohet beteja”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Më shumë se 320 persona nga Kosova, 120 nga Shqipëria dhe mbi 100 nga Maqedonia viteve të fundit iu bashkuan të ashtuquajturit, Shteti Islamik në Siri dhe Irak (ISIS). Gjithashtu, sipas të dhënave të Policisë, mbi 30 fëmijë me prindër nga Kosova kanë lindur në kampet e Shtetit Islamik në Siri e Irak./rtklive/