Gjatë aksionit të Policisë për kontrollin e territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, një punonjës policie është aksidentuar në zonën e Sopotit ditën e sotme.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit të territorit mbi Palohor në një terren të pyllëzuar e të thepisur, në afërsi të malit Sopot, punonjësi i Policisë B.H, duke kontrolluar në këmbë territorin është rrëzuar aksidentalisht dhe u dëmtua në shpatull dhe kokë.
Menjëherë ai është transportuar në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore.
Pas ndihmës së parë të dhënë në spital, Polici i lënduar do të transportohet me helikopter për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka telefonuar punonjësin e Policisë duke i uruar shërim të shpejtë dhe i siguroi se do të merret çdo masë e nevojshme dhe ndihmë mjekësore.