
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që deputetët duhet ta konstituojnë Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit brenda tridhjetë ditësh.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga të gjithë deputetët që ta zbatojnë vendimin e Kushtetueses dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve.
“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka shkruar Haradinaj.
Grupi Parlamentar i AAK-së ka dërguar kërkesën për interpretim në Kushtetuese më dymbëdhjetë maj dymijenjëzetepesë dhe sot kjo e fundi ka kthyer përgjigjen.
Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, rikujton Haradinaj.
Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit dymijenjëzetepesë.
Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike. Nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës.
Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar, përfundon Haradinaj.
Lexo po ashtuZgjidhja e ngërçit në Kuvend, Dehari: Osmani mund t’i thërrasë për konsultim partitëVazhdimi i tridhjetetetë i seancës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet nesër, duke filluar nga ora njëmbëdhjetë.