Komisioneri i KiE-së për të Drejtat e Njeriut: Miratimi i Projektligjit për KPM-në do ta cenonte lirinë e medias

E publikuar: 26/06/2024 23:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, ka konsideruar se miratimi i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Sipas O’Flahertyt, në rast miratimi, ky ligj do të përmbante dispozita problematike për dezinformim dhe përmbajtje të dëmshme.

Në një përgjigje dhënë KOHËS, ai ka thënë se ky projektligj nuk përfshin rekomandimet kyçe të KiE-së në opinionet e tij ligjore.

“Pavarësisht disa ndryshimeve pozitive, projektligji i propozuar për Komisionin e Pavarur të Mediave ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe të bëra nga Këshilli i Evropës në opinionet e tij ligjore. Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë ai.

O’Flaherty ka vlerësuar se projektligji duhet të kalojë përmes një procesi konsultimi të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të mërkurën ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjet për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat nesër (e enjte) janë në rend dite për t’u miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas reagimit, rekomandimet e BE-së synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

“Versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, thuhet në reagimin e BE-së lidhur me Projektligjin për KPM-në.