Klopp: Shpërdoruam shumë, pa fjalë për rastet që kemi humbur në pjesën e dytë

E publikuar: 14/04/2024 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Humbja minimale me Crystal Palace në “Anfield Road” ishte e dyta radhazi në shtëpi për Liverpoolin, që mbrëmjen e të premtes u mposht edhe nga Atalanta në ndeshjen e parë çerekfinale të Europa Leagues.

Disfata e të shtunës ndaj londinezëve mund t’u kushtojë “të kuqve” jo pak në garën për titull, pasi tashmë kanë dorëzuar vendin e parë, teksa Jurgen Klopp drejton gishtin nga rastet e shumta të shpërdoruara.

“Sot mund të flasim për dy ndeshje të ndryshme brenda një 90-minutëshi. Pjesa e parë ku ishim shumë dobët dhe kishim ende pasojat e humbjes me Atalantën. Për më tepër pësuam një gol, të cilin sërish mund të them se e dhuruam, pasi i lamë shumë hapësirë kundërshtarit. Më pas ishte edhe pjesa e dytë, ku bëmë gjithçka perfekte, por nëse nuk shënon edhe me këto raste, është e vështirë të flasësh. Kjo sfidë mund të kishte përfunduar edhe 4-1 për ne dhe tani do të ishim duke folur ndryshe, për të njëjtën ndeshje, por shpërdoruam shumë”, u shpreh Klopp.

Sa i përket garës për titullin kampion, gjermani u shfaq i qetë, duke theksuar se ka ende edhe shumë javë në dispozicion dhe se të tijtë duhet të marrin maksimumin në ndeshjet e veta.

“Kemi humbur terren dhe natyrisht që tani nuk kemi asgjë në dorën tonë, por jam i bindur që nëse ne marrim maksimumin e pikëve, kundërshtarët do të ndalen. Edhe ata i pret një kalendar i ngjeshur dhe me shumë impenjime”, tha gjermani./Super Sport