Haradinaj i bindur se me PDK-në e kanë kthyer shpresën, komenton ata që po e quajnë “koalicion i territ”
I nominuari për kryeministër nga koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj në Interaktiv të KTV-së e ka quajtur të qetë dhe të mirë fushatën zgjedhore që zgjati 10 ditë.
Ai ka shprehur bindjen se votuesit e Aleancës dhe vetë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë të gëzuar që qeveria do të udhëhiqet prej tij. Ka shprehur besim në politikën e tij qeverisëse, derisa ka shprehur gëzimin që janë bashkuar me Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt dhe PDK-në e Kadri Veselit.
“Ne do të bëjmë investime të përbashkëta dhe do të veprojmë në interesa të qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.
Koalicionin PDK-AAK-Nisma, Haradinaj edhe njëherë e quajti risi, por megjithatë thotë se është pritur mirë nga subjektet politike pjesëmarrëse në koalicion. Ka shtuar gjithashtu se beson se ky koalicion e ka kthyer besimin në një fitore të madhe.
I pyetur se cili është mendimi i tij që kundërshtarët i quajnë “Koalicion i territ”, ai ka thënë se janë zgjedhjet dhe sigurisht është mënyrë e tyre për t’i kritikuar.
“LDK-ja pati dy tronditje të njëpasnjëshme, humbjen e Prishtinës dhe rrëzimin e Qeverisë, prandaj i kuptoj, edhe ata diçka duhet të bëjnë”, ka shtuar Haradinaj.