Kinë, hapen rrugët e para të testimit të makinave me vetëdrejtim në qendër të Shangait

E publikuar: 02/09/2022 11:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kinë, hapen rrugët e para të testimit të makinave me vetëdrejtim në qendër të Shangait

Kina ka hapur rrugët e saj të para të testimit të makinave me vetëdrejtim për situatat e ndërlikuara të trafikut në Shangai, si pjesë e Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale 2022 që filloi të enjten.

Rrugët, që ndodhen në qendër të Zonës së Re “Pudong”, përshkojnë qytezën Jinqiao në mes të Zonës së Re “Pudong”, me Parkun e Teknologjisë së Lartë “Zhangjiang” në jug dhe lumin Huangpu në veri. Pjesëmarrësit në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale mund të provojnë makinat me vetëdrejtim në këto 12 rrugë testimi, me një gjatësi prej afro 30 kilometrash.

Rrugët e testimit përmbajnë 57 udhëkryqe të kontrolluara në mënyrë inteligjente dhe klasifikohen si niveli 3 i vlerësimeve të rrezikut me katër nivele për rrugët e hapura të testimit.

Kjo zonë do të shërbejë si terreni i parë i testimit për shumë aplikime të automjeteve të ndërlidhura inteligjente, si p. sh. vrojtimi autonom për vendparkim.

“Një sistem i tillë inteligjent parkimi mund të zbatohet në një zonë shumë më të madhe, por së pari duhet të realizohet një zhvillim i integruar ‘makinë-rrugë- teknologji cloud'”, vuri në dukje Yan Junjie, zëvendësdrejtor i Zyrës së Menaxhimit “Jinqiao” në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait.

Kina ka lejuar testimin e makinave me vetëdrejtim në rrugë në zona të kufizuara të qyteteve të mëdha si Pekini, Shangai dhe Shenzhen-i që nga viti 2018, duke vijuar më pas testimin në autostrada. Është nxitur gjithashtu edhe përdorimi i automjeteve autonome, si taksitë, në skenarë lehtësisht të kontrollueshëm në situata me pak trafik, sipas një projekti të paraqitur për këshillim publik nga Ministria e Transportit në gusht.