Këshilli Gjyqësor i Kosovës merr përgjegjësinë për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë

E publikuar: 25/03/2022 23:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se ishte ajo që ka vendosur për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga pozita e saj si kryetare.

Sipas njoftimit të KGjK-së, ky vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për kryetar të gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve.

Me këtë rast, KGJK thekson se vendimi për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, Stevanoviq.

“Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në njofitm.