Lidhur me pohimet e Degës së PDK-së së Ferizajt për gjoja shkeljen e ligjeve dhe Statutit të Komunës, me rastin e formimit të Zyrës së Inspektoratit, dëshiroj të sqaroj opinionin se:
– Dega e PDK-së nuk duhet të jetë aspak krenare që përmes kuvendarëve të saj “theu shtizat e kryetarit Svarqa”, duke pamundësuar formimin e Drejtorisë së Inspektoratit, sepse në këtë mënyrë nuk i ka dhënë aspak kontribut vendosjes së rendit, rregullit dhe ligjit në komunën e Ferizajt;
– Nuk është aspak e vërtetë se formimi Zyrës sëInspektoratit është bërë si reagim ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës për të mos e formuar Drejtorinë e Inspeksionit, sepse zyra ishte formuar gati një muaj para mbledhjes së kuvendit për të cilën flet PDK-ja;
– Nuk është e vërtetë se vendimi për formimin e Zyrës së Inspektoratit është i kundërligjshëm. Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, neni 13, thotë: “Kryetari i Komunës ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime brenda fushës së kompetencavetë tij”;
– Nuk është e vërtetë se formimi i Zyrës së Inspektoratit është në kundërshtim me Statutin e Komunës. Neni 51, pika 2.7, ku flitet për përgjegjësitë e Kryetarit të Komunës, thotë: “Formon zyra të reja (të tjera), sipas nevojës”.
– Caktimi i z. Ismet Vranovci si koordinator i Zyrës së Inspektoratit, është vendim i përkohshëm, derisa të zhvillohen procedurat ligjore për plotësimin e vendit të punës së kryeinspektorit.
Pra, siç shihet, Dega e PDK-së, po vazhdon me interpretimin e ligjeve, statutit e rregulloreve sipas dëshirës dhe nevojave të saj, për t’ia përshtatur luftës politike dhe synimeve për të paraqitur çdo veprim të kryetarit dhe ekzekutivit si “shkelje, skandal, mosdije etj.”. Por, në këtë mënyrë PDK, me apo pa vetëdije, gjoja në emër të një gardiani të ligjshmërisë, po bëhet pengesë e funksionalitetit të një organi kaq të nevojshëm, siç është inspeksioni dhe po fut mjegull e huti tek qytetarët.