“Këpucëtari m’i futi sharrat në këpucë dhe ika nga qelia e vetmisë” – arratisja e radhës e Faton Hajrizit në ora 1 të ditës

E publikuar: 04/05/2024 21:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Faton Hajrizi që u arratis tetë herë nga burgu, në një intervistë për Betimin për Drejtësi, rrëfeu se si arriti të ikë nga burgjet e Kosovës duke përdorur metoda të ndryshme.

Në një nga herët, Hajrizi kishte arritur të arratiset nga vetmia, pasi paraprakisht sa kishte qenë në arrati kishte kërkuar ndihmë tek një këpucëtar.

“Më çuan në dhomë lartë, i pata sharrat me vete në këpucë. Në arrati i pata bërë. Shkova të këpucëtari dhe i rregullova se besoja që do të më zënë prapë…”, është shprehur Hajrizi.

I burgosuri rrëfeu se si u “tradhtua” nga shoku i tij i qelisë.

“Më çuan me një djalë në dhomë, por ai kishte qenë shërbyes i tyre. I thash ‘A po do të ikësh?’, më tha ‘Po”. Doli ta pastrojë korridorin dhe m’i solli oficerët. Ma zunë njërën sharrë. Më çuan në vetmi, por e kisha tjetrën sharrë. Prej vetmisë ju ika. Ata më çuan për izolim më të fortë, por unë prej atij izolimi eca në ora 1 të ditës”, ka thënë Hajrizi.

Edhe pse në masa të rrepta sigurie, Hajrizi rrëfen se si u largua nga vetmia duke prerë grilën.

“Në vetmi nuk vinin shpesh të të shqetësonin. Edhe pse unë e kam pasur çdo pesë dakikë me më këqyr për sporteli. Unë kam arritur me pre grilën në vetmi dhe kam dalë”, shtoi Hajrizi.