Kandidatët e LDK’së: Thaci po bën fushatë, po i ndihmon partisë së tij

E publikuar: 01/06/2017 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lumir Abdigjiku, anëtar i LDK’së si dhe kandidat për deputet të Kuvendit, si dhe Ilir Deda pjesë e koalicionit me partinë e Isa Mustafës po e akuzojnë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për përfshirje në fushatë zgjedhore. Abdigjiku e Deda, të enjten nëpërmjet një konference për media kanë thëne se Thaçi si ish-lider i PDK’së në këtë mënyrë po bën shkelje të rëndë të Kushtetutës.
“Në fillim të kësaj fushate nuk jemi të kënaqur me rolin që ka marrë Presidenti i Republikës Hashim Thaçi, ish kryetar i PDK-së. Përfshirja e tij haptazi nëpër fushatë zgjedhore, nëpërmes organizimit të takimeve, drekave e darkave, tubimet me qytetarë dhe nëpunës publikë, përveç që paraqet shkelje të rëndë të rolit të tij kushtetues, shpërfaq edhe një rast të paprecedent në proces zgjedhor nga dikush që është i presupozuar të mbajë rol uniteti në vend”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se Thaçi në këto tubime provon t’i bëjë favore partisë së tij. “Po e ftojmë institucionin e Presidentit që të mos bëhet instrument i politikës ditore partiake. Ky synim i tij i dëmton standardet demokratike që Kosova ka vendos për ditët zgjedhore, rrezikon standardet që LDK dhe partnerët e koalicionit synojnë t’i arrijnë në këto zgjedhje. Kosova ka nevojë për një lidership që respekton ligjet dhe Kushtetutën”, ka thënë ai.

Kandidati tjetër i koalicionit për deputetë, nga ‘Alternativa’, Ilir Deda ka thënë se pavarësisht përfshirjes së Thaçit në fushatë, ai nuk mund ta shpëtojë koalicionin PDK-AAK-Nisma, nga humbja e zgjedhjeve më 11 qershor.“Kjo përfshirje e Thaçit nuk do ta ndihmojë koalicionin PDK-AAK-Nisma që të dalë fituese në zgjedhjet e 11 qershorit.

Përkundrazi vullneti qytetar është për ndryshimin e madh që vjen nga koalicioni ynë”, ka thënë Deda. Abdixhiku dhe Deda i kanë ftuar gjithë elektoratin e partive në koalicion dhe qytetarët e tjerë që të bashkohen në fillimin e fushatës, që organizohet sonte (e enjte) nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.