Kadri Veseli: Do ta bllokoj ndikimin e Beogradit zyrtar tek serbët e Kosovës

E publikuar: 09/06/2017 23:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përderisa është shprehur i bindur në fitore më 11 qershor, ka thënë që qeverisja e kësaj partie do të ketë prioritet fuqizimin e ekonomisë.

Sipas Veselit, zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i sovranitetit si rrjedhoje do të sjellë edhe liberalizimin e vizave.

“Hapat e parë pas fitores bindëse do të jenë për forcimin ekonomik. Do të orientohemi tek fuqizimi i ndërmarrësve dhe kah pjesa e bujqësisë. Ne duhet të kemi një sovranitet të fuqishëm politik dhe një zhvillim të fuqishëm ekonomik. Kur i arrijmë këto liberalizimi i vizave do të jetë një vendim i lehtë për ndërkombëtarët” ka thënë Kadri Veseli në një intervistë në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës.

Ndërsa sa i përket raporteve me Serbinë, Veseli ka thënë që ka për qëllim të bllokoj influencën e Beogradit zyrtar tek serbët e Kosovës.

“Serbët e Kosovës kanë qenë nën presion, çdoherë konsultohen me lidershipin e Beogradit dhe atë çfarë u thonë e bëjnë, shpesh edhe kundër dëshirave të tyre. Qëndrimi im i qartë është që të bllokoj këtë influencë serbe” deklaroi Kadri Veseli.