‘Je votuar, sepse njerëzit besuan në ty’ – Koci, me mesazh të fortë për Kurtin: Gabim je në qasjen aktuale

E publikuar: 17/05/2025 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar situatën aktuale politike në vend si një “bllokadë totale institucionale”.

Në postimin e tij, Koci i bën thirrje Kurtit që të tregojë lidership, të dalë nga pozicionet e ngurta dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zhbllokimin e institucioneve të vendit, me theks të veçantë në procesin e zgjedhjes së Kryeparlamentarit, që ka dështuar në 17 tentativa të njëpasnjëshme.

“Nuk është më krizë politike – është bllokadë totale. Institucionet janë ngrirë. Askush nuk po merr përgjegjësi. Askush nuk po lëviz”, shkruan Koci.

Ai i kujton Kurtit se partia që ai udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë mandatin më të fuqishëm ndonjëherë në historinë politike të Kosovës, bazuar në besimin e qytetarëve për ndryshim dhe qeverisje me maturi.

“Je votuar sepse njerëzit besuan në ty… Por pritjet nuk mund të shtyhen pafund. Rezultatet duhen tani”, thekson ai.

Koci e quan qasjen aktuale të Kurtit “gabim”, duke e ftuar që të marrë rolin e një lideri gjithëpërfshirës që kërkon dialog, bashkëpunim dhe zgjidhje, pa e shkelur parimin politik por duke treguar vullnet për kompromis institucional.

“Gabim je në qasjen aktuale. Dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo bllokadë është të tregosh se je i gatshëm të bëhesh faktor i unitetit”, shkruan ai, duke shtuar se “populli nuk pret më justifikime – pret zgjidhje”.

Avokati shton se bllokimi i zgjatur po ndikon negativisht edhe në mbështetjen elektorale të Vetëvendosjes, duke përmendur rënie të besimit dhe pakënaqësi në terren.

“Beso – ky bllokim i zgjatur po të kushton shumë në bazën elektorale. Ka pakënaqësi. Ka zhgënjim. Ka rënie të besimit. Dhe ajo nuk rikthehet lehtë”, paralajmëron Koci.

Koci kërkon nga Kurti që të veprojë me guxim dhe përgjegjësi për ta nxjerrë vendin nga ngërçi aktual politik.

Shkrimi i tij i plotë:

Albin, Kosova ka nevojë për zgjidhje që bashkojnë
Nuk është më krizë politike – është bllokadë totale.
Institucionet janë ngrirë. Zgjedhja e Kryeparlamentarit ka mbetur peng.
Askush nuk po merr përgjegjësi. Askush nuk po lëviz.
Në kohë të tilla, nuk mjafton me heshtë.
Duhet me fol – me maturi, me përgjegjësi dhe me përkushtim ndaj së vërtetës.
Sepse situata është serioze – dhe ti, më shumë se kushdo, e di.
Partia që ti e udhëheq – Vetëvendosje – ka marrë më së shumti vota në historinë e Kosovës.
Një rezultat i paprecedentë, i ndërtuar mbi besimin e qytetarëve në vizionin tënd si lider dhe në premtimin për ndryshim.
Je votuar sepse njerëzit besuan në ty.
Besuan që do të sillje një kulturë të re politike – me maturi, përgjegjësi, ndershmëri dhe vendimmarrje.
Por pritjet nuk mund të shtyhen pafund. Rezultatet duhen tani.
Kur Kuvendi ngec raund pas raundi – në 17 përpjekje të njëpasnjëshme me të njëjtin kandidat – dhe dita e nesërme nuk sjell asgjë të re, kjo nuk është më vetëm taktikë.
Është sinjal alarmi.
Është mosrespekt ndaj qytetarit që pret drejtim – jo kokëfortësi.
E aq më pak në kohën kur vendi ka nevojë për stabilitet, qartësi dhe udhëheqje.
Kosova sot ka nevojë për zgjidhje. Për vendime që hapin rrugë.
Kam respekt për ty. E din mirë – njihemi.
Ta them me sinqeritet, jo si kundërshtar, por si mik: gabim je në qasjen aktuale.
Dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo bllokadë është të tregosh se je i gatshëm të bëhesh faktor i unitetit.
Të shohësh përtej numrave dhe përtej pozicioneve.
Të bëhesh bashkëpunues. Me këta që i ke përballë – sepse tjerë nuk kemi për momentin.
Në këtë situatë, nuk mjafton me qëndru në të drejtën tënde.
Duhet me ofru mundësi. Me ftu në dialog. Me ndërtu urë.
Mbledhi afër vetes opozitën.
Gjeje zgjidhjen. Pa e shkel parimin, hape rrugën.
Sepse populli nuk pret më justifikime – pret zgjidhje.
Përsëris, nuk të kërkoj të lëshosh pe në bindje.
Por të kujtosh pse je aty ku je: për të udhëhequr.
Unë jam në terren.
Në takime të shumta me njerëz, në të gjitha anët.
Beso – ky bllokim i zgjatur po të kushton shumë në bazën elektorale.
Ka pakënaqësi. Ka zhgënjim. Ka rënie të besimit. Dhe ajo nuk rikthehet lehtë.
Nuk jam pjesë e politikës.
Por vogëlsia ime është e angazhuar në çdo zhvillim të rëndësishëm për vendin – me mundësitë e mia modeste.
Për këtë arsye kam ndërtuar raporte të mira me të gjitha subjektet politike dhe shumicën e liderëve të tyre.
Jo për ndonjë interes personal.
Por sepse besoj sinqerisht që për interesa të shtetit duhet të ketë komunikim, mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Në kohë si kjo, nuk ndihmon as heshtja, as inati, as ndarja.
Ndihmon vetëm përgjegjësia – dhe guximi për të vepruar me maturi.
Kështu si po ecim, zgjidhja nuk po shihet askund në horizont.
Dhe si udhëheqës i partisë më të madhe, si Kryeministër i vendit –
ty të bie me e gjetë.